Çmimet “Oscar” 2018, mbrëmja magjike e kinematografisë

2018-03-09

Mbrëmja e së dielës së kaluar, më 4 mars, ishte nata më e rëndësishme në botën e kinematografisë, ajo e ndarjes së çmimeve “Oscar”.

Ceremonia e çmimeve “Oscar” shënoi edhe 90-vjetorin e saj, që prej ceremonisë së parë e cila u mbajt më 16 maj 1929 në Hotel “Roosvelt” në Hollivud. Që nga viti 1939, Akademia e Arteve të Filmit dhe Shkencës, zyrtarisht filloi ta përdorë emrin “Oscar” si emër të çmimeve që shpërndan.

Ndër filmat më të nominuar në ceremoninë e 2018-s ishin “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, “The Shape of Waters” dhe “Darkest Hour”.

Yjet më të mëdhenj të Hollivudit u mblodhën mbrëmjen e 4 marsit në teatrin “Dolby” në Los Anxheles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ceremoninë e 90-të të ndarjes së çmimeve më prestigjioze në industrinë e kinematografisë në botë.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe çështjeve të kohëve të fundit, që me sa duket kanë transformuar rrënjësisht botën e filmit. Në tapetin e kuq, por edhe në fjalimet e fituesve, një rol të rëndësishëm zunë edhe lëvizjet e njohura kundër ngacmimeve seksuale, si “Time’s Up” dhe “Me too” . “Time’s Up” u themelua më 1 janar 2018 dhe yjet botërore të filmit e teatrit kanë qenë edhe nxitësit më të mëdhenj të këtyre nismave.

Komediani Jimmy Kimmel ishte, për herë të dytë këtë vit, prezantuesi i ceremonisë së çmimeve “Oscar”, mbrëmjes më të shumëpritur të vitit.

“The Shape of Water”, romanca e Guillermo del Toros, kryesoi me 13 nominime për Çmimin “Oscar”. Filmi fantastiko-shkencor me buxhet të vogël, tregon historinë e një pastrueseje që bie në dashuri me një krijesë detare të burgosur.

Në vend të dytë u rendit filmi “Dunkirk” me tetë kandidatura. Ndërsa filmi “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri” arriti të zërë vendin e tretë me 7 nominime.

Prodhime si “Darkest Hour”, “Lady Bird”, “Call Me By Your Name”, “Get Out” dhe “Phantom Thread” ishin gjithashtu në garë për filmin më të mirë. Ndërsa këto filma janë ndjekur me mjaft interes që prej herës së parë që janë shfaqur në kinematë e ndryshme botërore, kur erdhi radha për çmimin e madh si filmi më i mirë i vitit, atë e rrëmbeu “The Shape of Water”. Ishte çmimi i dytë për regjisorin Guillermo del Toro, pasi ai gjithashtu fitoi çmimin “Oscar” si regjisori më i mirë.

Në kategorinë e aktorit më të mirë në rol protagonist kandiduan ikonat e kinemasë si Denzel Washington, Daniel Day-Lewis dhe Gary Oldman, si dhe dy aktorët e rinj Daniel Kaluuya dhe Timothée Chalam. Në mbrëmjen magjike të çmimeve “Oscar”, Gary Oldman fitoi si aktori më i mirë mashkull për portretizimin e Winston Churchill-it në “Darkest Hour”. “Për këtë çmim dhe për shumë më tepër, u detyrohem shumë personave. Filmat, po ashtu edhe fuqia e tyre, mahnitën një të ri nga jugu i Londrës dhe i dhanë atij një ëndërr,” tha ai, duke iu referuar vetes dhe së kaluarës së tij ku filmi u bë edhe ëndrra e tij më e madhe.

Për sa i përket kategorisë së aktorit më të mirë mashkull në një rol dytësor, çmimi i parë i natës i shkoi Sam Rockwell-it për rolin në “Three billboards Outside of Ebbing, Misuri”.

Ndërsa në garën për aktoren më të mirë protagoniste u përfshin; legjendat e kinemasë, si Meryl Streep dhe Frances McDormand, Sally Hawkins, Margot Robbie dhe Sorsa Ronan. Si aktorja më e mirë e edicionit të 90-të të çmimeve “Oscar” fitoi Frances McDormand e “Three Billboards Outside of Ebbing, Misuri”, e cila e përdori fjalimin e saj për të promovuar barazinë gjinore. “Nëse mund të ndihem kaq e nderuar që të gjithë kandidatet femra të qëndrojnë bashkë me mua sonte, të gjitha prodhueset e filmave, shkrimtaret, kompozitoret… Shikoni përreth, sepse ne të gjithë kemi histori për të treguar”, tha ajo, ndërsa shumë gra u ngritën në këmbë duke duartrokitur fjalimin e saj emocionues e me mesazhe të forta.

Allison Janney u vlerësua si aktorja më e mirë femër në një rol dytësor për performancën e saj në filmin “I, Tonya”, ndërsa tha me humor në fjalimin e saj: “E bëra gjithçka vetë”. Ajo falenderoi gjithashtu aktorët e tjerë që morën pjesë në këtë film, madje edhe zogun që në film u përdor si shoqëruesi i saj.

Kategoritë në garë për çmimet “Oscar”, si çdo vit tjetër, ishin të shumta në numër. Çmimin e parë të mbrëmjes, si filmi i huaj më i mirë, e fitoi filmi kilian “A Fantastic Woman”. Ndërsa si filmi më i mirë dokumentar u vlerësua “Icarus”. Çmimin “Oscar” për filmin vizatimor të vitit e mori “Cocco”, i cili u vlerësua gjithashtu me “Oscar” për muzikën, këngën origjinale më të mirë me titull “Remember Me”. “Blade Runner 2049” rrëmbeu çmimin e filmit me efektet pamore më të mira. Ndër çmimet e tjera, “The Shape of Water” fitoi gjithashtu edhe për kolonën zanore më të mirë. Çmimi për skenarin origjinal më të vlerësuar të vitit iu dha skenaristit Jordan Peele për filmin “Get Out”.

“Academy Awards” është finalja e madhe e sezonit të çmimeve në fushën e kinematografisë. Festivalet e filmit janë të famshme në të gjithë botën, kudo ku mbahen, qoftë Berlin, Venecia apo Pekin. Por ceremonia e çmimeve “Oscar” është ngjarja më mbresëlënëse dhe pika më e lartë e karrierës për cilindo që është pjesë e një filmi, në vijë të parë apo prapaskenë qoftë. Statujëzat prej ari nuk janë madhështia e vetme e një ngjarjeje të këtyre përmasave, pasi yjet e tapetit të kuq të kinemasë dhe stili i tyre lë gjithmonë shenjë për të gjithë shikuesit, për një kohë të gjatë.

Mos harrojmë se figurat më të njohura kinematografike botërore kanë qenë gjithmonë burim fymëzimi dhe, pse jo, na kanë bërë të besojmë se me talent dhe përkushtim, bërja e ëndrrave realitet mund të jetë e kapshme nga kushdo.