Coco Chanel, ikona botërore e modës

2018-06-25

“Stolitë, çfarë shkence më vete! Bukuria, çfarë arme e fortë! Modestia, çfarë elegance!”

Ajo ka qenë një nga emrat më të njohur dhe më të rëndësishëm të modës në botë. Ka qenë ikonë dhe frymëzim për shumëkënd dhe ende sot ngelet ndër emrat më të mëdhenj të modës të të gjitha kohërave, një figurë e cila vështirë të zëvendësohet lehtë. Coco Chanel nuk kujtohet vetëm për stilimet e saj, por edhe për këshillat dhe shprehjet që frymëzojnë botën e modës në tërësi dhe femrat në veçanti.

“Eleganca nuk ka të bëjë me veshjen e një fustani të ri”, ka thënë Coco Chanel. “Për t’u bërë e pazëvendësueshme, duhet të jeni gjithmonë ndryshe”, thotë një tjetër shprehje e saj.

Gabrielle Bonheur “Coco” Chanel lindi më 19 gusht 1883 në Saumur, Maine-et-Loire, të Francës dhe u nda nga jeta më 10 janar 1971, në moshën 87-vjeçare. Chanel ishte fëmijë i jashtëligjshëm. Babai i saj nuk ishte i pranishëm gjatë rritjes së saj. Ai ishte një tregtar ambulant, i cili ishte tërë kohën në lëvizje. Ai shiste kopsa dhe fjongo, elemente që gjenden në stilimet e Chanel-it. Kur ajo ishte 11 vjeçe, humbi nënën e saj. Babai e futi Chanel-in në një jetimore, ku ajo mësoi të qepte. Ndonëse i ati i Chanel-it mungoi në jetën e saj, ai pati një ndikim të madh te ajo. Chanel mësoi në jetimore elementet që do ta bënin atë stiliste të famshme.

Ajo mësoi të kombinonte ngjyrat e errëta me ato të çelura, të bardhën e të zezën. Perlat, që janë shumë të pranishme në stilin e Chanel-it, të sjellin në mendje rruzaret sferike, të cilat murgeshat i vendosin rreth belit. Chanel, mbasi u largua nga jetimoreja, nisi të këndonte nëpër kabare. Me paratë që i dha një i dashuri i saj, ajo nisi tregtimin e kapeleve në Paris.

Shkrimtarja e modës Xhastin Pikardie, autorja që ka shkruar librin “Coco Chanel: legjenda dhe jeta e saj”, libri i fundit për stilisten e famshme, thotë se klientët donin rrobat që vishte Chanel dhe donin të njëjtat gjëra si ajo. Në atë kohë gratë vishnin korse. Ato vishnin rroba të ngushta që nuk i linin të merrnin frymë, të ecnin normalisht apo të vraponin. Ato ngjanin si të ngrira dhe Chanel donte të sillte një lirshmëri, e cila do të vinte më në pah hijeshinë femërore. Chanel i hoqi veshjet me korse dhe futi në modë veshjet me ngjyra të hapura, stil vërtet sensual dhe klasik në të njëjtën kohë.

Duke marrë intervista nga të njohurit e hershëm të saj, të afërmit dhe punonjës të saj si Karl Lageferd, drejtori krijues i “Chanel”, Pikardie thotë se ajo kishte aftësinë që të kthehej në një njeri të thjeshtë.

“Ajo ishte shumë kontradiktore, kishte periudha që ishte shumë e palumtur dhe shumë e vetmuar. Ka pasur edhe periudha të mbushura me gëzim dhe argëtim në jetën e saj. Por mendoj se braktisja që nisi që me të atin kthehej herë pas here te ajo. Dhe në fund të jetës, ndonëse kishte miq të afërt, ajo vdiq vetëm”, shprehet Xhastin Pikardie.

Chanel ishte jo vetëm një stiliste e njohur në Francë, por edhe një biznesmene shumë e suksesshme. Ajo e filloi karrierën duke stilizuar kapele, më parë në Paris më 1908, e pastaj në Deauville. Në këtë qytet, më 1914, ajo hap dyqanet e para, duke vijuar më 1916 me sallonin e modës së lartë në Biarritz. Suksesi i bujshëm vjen në vitet 1920, kur arrin të hapë zyrat e saj qendrore në “Rue de Cambon” N.31 në Paris, nga ku nis të shndërrohet në simbol të breznisë së atëhershme.

Së bashku me Paul Poiret, Chanel u vlerësua në epokën e pas Luftës së Parë Botërore për çlirimin e grave nga kufizimet e “siluetës së korsesë” dhe popullarizimin e një elegance sportive, duke sjellë një standard tjetër femëror të stilit. Një krijuese e jashtëzakonshme e modës, Chanel e shtriu ndikimin e saj përtej veshjeve të thjeshta, duke kuptuar estetikën e saj të projektimit në stoli, çanta, kapele dhe parfume. Ajo është e vetmja stiliste në listën e revistës “Time” të 100 njerëzve me ndikim më të madh të shekullit të 20-të.

Chanel-i ishte e njohur për vendosmërinë e saj të përjetshme, ambicien dhe energjinë në jetën e saj profesionale dhe shoqërore. Ajo gjithashtu arriti sukses financiar si një biznesmene dhe u pa me dyshime në mesin e shoqërisë së lartë franceze, falë lidhjeve që krijoi në punën e saj, të cilat përfshinin shumë artistë dhe artizanë. Lidhjet e saj shoqërore dukeshin se inkurajonin një pikëpamje personale konservatore. Asokohe pati shumë thashetheme rreth aktiviteteve të Chanel-it gjatë pushtimit gjerman të Francës, gjatë Luftës së Dytë Botërore, prandaj ajo u kritikua se kishte një lidhje goxha të afërt me gjermanët. Pas luftës, pasi qëndroi për disa vjet në Zvicër, u kthye në Paris dhe iu përkushtua shtëpisë së saj të modës.

Në vitin 2011, Hal Vaughan botoi një libër mbi Chanel-in bazuar në dokumentet e sapodeklasifikuara të asaj epoke, duke zbuluar se ajo kishte bashkëpunuar me gjermanët në aktivitetet e zbulimit.

Njohës të modës thonë se Chanel ka “shpikur modën për femra”. Falë modeleve të saj inovative, veshjet e grave u shndërruan në pjesëza estetike, ndryshe nga veshjet që i kufizonin ato, deri në Luftën e Parë Botërore.

Jeta e saj e ngjashme me një përrallë, ka frymëzuar filma dhe dokumentarë të ndryshëm. Edhe për autorët e librave, historia e jetës së saj ka qenë tërheqëse. “Coco Chanel: legjenda dhe jeta”, është libri i fundit që eksploron atë që autorja e quan “sekreti” i Chanel-it.

Në vitet 1950-60 Chanel ishte në krye të modës. Ajo vishte këdo, nga Brigitte Bardot, Jane Fonda, Elizabeth Taylor dhe Merlin Monroe. Tek ajo vishej edhe Jacky Kennedy.

Kritikja dhe editorja e modës, Suzi Menkes, thotë:

“Sekreti i Chanel-it është pastërtia, moderniteti, shenjimi i gërmës C, dhe ndonjëherë duket tejet dinamike, moderne. Emri i saj vazhdon të menaxhohet shumë mirë edhe pas vdekjes së saj. Karl Lagerfeld vazhdon në gjurmët e saj”.

Menkes thotë se kjo është arsyeja që Chanel-i mbetet ikonë e modës. Stilistja e madhe është kthyer në një frymëzim me emrin e saj.

Në listën e revistës “Time” ndër 100 femrat më të rëndësishme të shekullit të 20-të, ajo është femra e cila e ka dizajnuar, menduar dhe sjellë kultin e ‘fustanit të shkurtër të zi’. Parfumi “Chanel 5”, i cili ishte edhe i preferuari i saj, mbahet si më i njohuri dhe më i shituri në botë, ndërsa krijimet me emrin e saj mbahen ende sot si krijimet më të bukura në botën e modës. Falë saj, Franca ende është sinonim i industrisë më të lartë të modës.

“Moda nuk është diçka që ekziston vetëm tek veshjet. Ajo është në qiell, në rrugë. Moda ka të bëjë me idetë, me mënyrën e jetesës, me atë që po ndodh,” ka thënë Chanel.