Festivali i 21-të Ndërkombëtar i Filmit i Shangait

2018-07-03

Nga 16 deri më 25 qershor u zhvillua edicioni i 21-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shangait (FNFSh). Ky është një ndër festivalet më në zë në industrinë botërore të kinematografisë. Ceremonia e hapjes së këtij Festivali u mbajt të shtunën në “Grand Theater” të Shangait, ku morën pjesë yje të kinematografisë nga Kina dhe mbarë bota.

I themeluar në vitin 1993, Festivali Ndërkombëtar i Filmit i Shangait fokusohet në Azi, nxit prodhimin dhe zhvillimin e filmave kinezë dhe mbështet talentet e reja të fushës.

Me çmime prestigjoze dhe profesionale, ky Festival Filmi nxit dialogun midis elitave të kinematografisë vendase dhe atyre ndërkombëtare dhe është një ndër ngjarjet më të shumëpritura, ku mbyllen negociata të rëndësishme mbi tregtinë e filmit, mbi financimin e projekteve të FNFSh-së, ku shfaqen yje të kinemasë ndërkombëtare dhe ka anëtarë të jurisë nga e gjithë bota, ku bëhen bashkë filma të mrekullueshëm ndërkombëtarë e profesionistë të mirënjohur të industrisë dhe ku audienca shkëmben ide mbi filmat konkurrentë në këtë Festival.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit i Shangait ofron një platformë të shkëlqyer bashkëpunimi profesional dhe pragmatik për profesionistë të fushës nga rajone të ndryshme.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit i Shangait jep çmime për tre kategori kryesore: “Golden Goblet Awards”, “Asian New Talent Awards” dhe “Panorama Film”.

Roli integral i kinemasë për të nxitur shkëmbimin dhe mirëkuptimin kulturor, për të tejkaluar kufijtë dhe për të sjellë sa më afër audiencat nga kultura të ndryshme të botës, është pa dyshim pjesë shumë e rëndësishme e këtij Festivali, që nga dita e parë e hapjes së tij.

Nicolas Cage, aktori i “Hollivudit”, njëherësh regjisor dhe producent i mirënjohur, ishte një ndër personazhet kryesore të tapetit të kuq në mbrëmjen e hapjes së Festivalit të 21-të Ndërkombëtar të Filmit të Shangait.

Ylli i kinemasë amerikane u takua me shtypin para ceremonisë së hapjes dhe u shpreh tejet i i lumtur që ndodhej në Shangai për t’u takuar me admiruesit e tij. Ai tha për median vendase se mbështetja, dashuria dhe besimi i admiruesve të tij është në fakt ajo çfarë e motivon atë për të bërë filma të bukur.

Në verën e vitit 1896, filmi, i cili kishte më pak se një vit që kishte ardhur në jetë, arriti në Shangai nga përtej oqeanit, duke shënuar takimin e parë midis Kinës dhe filmit. Që atëherë, kjo shpikje e re ka mbijetuar dhe lulëzuar gjithnjë e më shumë në vendin më të populluar të botës.

Gjatë 120 vjetëve të fundit, midis Shangait dhe filmit është krijuar një lidhje e fortë. Njerëzit aty i duan filmat dhe ky qytet nuk ka bërë të gjitha përpjekjet për të ushqyer industrinë e filmit. Shangai është vendi ku përqendrohen prodhuesit e filmave nga brenda dhe jashtë vendit. Falë thirrjes së brezit të vjetër të kineastëve, në vitin 1993 u themelua zyrtarisht Festivali Ndërkombëtar i Filmit i Shanghait me miratimin e Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës dhe që nga ajo kohë është bërë një Festival i mirënjohur ku filmi dhe prodhuesit e tij njohin suksese të njëpasnjëshme.

Çmimi kryesor i festivalit, “Golden Goblet”, ose “Kupa e artë”, e ka marrin emrin nga një simbol i kulturës tradicionale orientale. Kupa është një enë e lashtë kineze e verës, e cila ka një formë unike të bukur dhe një stil të veçantë antik. Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Golden Goblet” të këtij edicioni të FNFSh-së u mbajt më 24 qershor në Shangai.

Prodhuesit e rinj të filmave kanë një rëndësi të madhe dhe bëjnë të pamundurën për të mbështetur zhvillimin e begatë të industrisë së filmit, sepse veprat e tyre karakterizohen gjithmonë nga stili i veçantë, larmia dhe gjallëria. Ndërsa koha ecën përgjatë rrjedhës së saj, brezat e rinj të prodhuesve të filmave dhe veprat e tyre formësojnë më së miri të ardhmen e kinemasë që ata përfaqësojnë.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit i Shangait i përmbahet motivit “Fokusi në Azi, Nxitja e Filmit Kinez, Mbështetja e Talenteve të reja”. Që nga shpallja e “Çmimit të Talenteve të Reja Aziatike” (Asian New Talent Award), në edicionin e tij të 7-të, FNFSh-ja u dedikohet talenteve të reja, zbulimit të tyre, dhe mbështet njëkohësisht forcën dhe magjinë e filmave aziatikë, duke i ofruar botës talente të reja të kinemasë aziatike, të cilët pa dyshim njihen si të suksesshëm kudo në botë.

Fituesit e kategorisë së talenteve të reja aziatike të FNFSh-së 2018 janë “The Road Not Taken”, si filmi më i mirë i vitit. Çmimin e regjisorit më të mirë për këtë kategori e mori Yui Kiyohara për filmin “Our House”. Si skenaristi më i mirë u vlerësua Shireen Seno për skenarin e filmit “Nervous Translation”, kurse si aktori më i mirë Ding Xihe në filmin “Looking for Lucy”.

Kina është në rrugën e duhur për t’u bërë tregu më i madh i kinematografisë në botë, këtë e tregojnë edhe të ardhurat nga shitja e biletave të kinemave në Kinë të vitit 2018, të cilat, siç u tha edhe në forumin e Festivalit të 21-të Ndërkombëtar të Filmit në Shangai, po ia kalojnë edhe Amerikës së Veriut.

Sipas ekspertëve, rritja e kësaj industrie erdhi si shkak i shpërthimit të tregut të brendshëm të filmit dhe me një kapital të përshtatshëm në tregun gjithnjë në rritje, detyra e menjëhershme me të cilën u përball industria kineze në këtë “epokë të artë” ishte pikërisht krijimi i tematikave bindëse që do të fitonin zemrën e publikut, dhe nisën ta çonin industrinë aziatike të filmit në nivele shumë të larta.