Irma Picari: Ju rrëfej mbresat pozitive për Kinën

2018-06-20

Pianistja durrsake rrëfen eksperiencën e saj në Kinë, ku edhe zgjidhet për të qenë pedagoge për mësuesit edhe nxënësit më të mirë në Shenzhen, shkruan gazeta “Shekulli”.

Irma Picari, e para pianiste durrsake, që u diplomua para 35 vitesh në Akademinë e Arteve, vjen në këtë rrëfim për gazetën “Shekulli” për të treguar eksperiencën e saj të veçantë në Kinë, si artiste dhe jo vetëm.

Irma Picari ndonëse prej vitesh jeton jashtë vendit, ajo vlerësimet e para si pianiste, (çmime kombëtare) i ka marrë që gjatë studimeve të larta. Asokohe ajo është veçuar nga udhëheqësit e saj nga studentët e tjerë, madje edhe është shoqëruar nga orkestra e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Më poshtë, “Shekulli” sjell rrëfimin e artistes për atë çka ka përjetuar nga koncerti në Shqipëri, deri te vlerësimi në Kinë.

-Vlerësimi në Kinë si pedagoge edhe pianiste e vlefshme!

“Kina për mua që një sfidë dhe në të njëjtën kohë një tjetër parametër vlerësues! Duhet kurajo dhe sakrificë të marrësh rrugët e të udhëtosh drejt një të panjohure të vështirë siç është Kina, por jo e pamundur. Ky udhëtim përforcoi tek unë besimin ndaj vetvetes dhe njëherë më shumë, që unë Irma Picari jam një pianiste dhe pedagoge e vlefshme. Doja më gjithë shpirt të më konsideronin në vendin tim, (ka shumë konkurse internacionale, që zhvillohen në Shqipëri për piano, ka shumë nxënës, studentë që duan të mësojnë diçka më tepër në piano, bëhen masterclass me pedagogë të huaj, nuk jam kundër, por nuk kam dëgjuar deri më sot që një pianist shqiptar të brezit tim, që ka dalë gati 30 vjet jashtë si unë, të mbështetet si në mësimdhënie, nëpër konkurse apo master.”

Por kush është Irma Picari? Është ndër të vetmet pianiste, që nuk ka bërë mësim me pedagogë të huaj, nuk i ka pasur mbështetjen e shtetit për t’u reklamuar, si pianiste e denjë e Shqipërisë, nuk i ka bërë lajka asnjërit për të m’u hapur dyert, ka krijuar CV-në me mund, vullnet e mbi të gjitha me pasion.

Ka bashkëpunuar në konkurset më të rëndësishme të Italisë në juri dhe është vlerësuar, si një nga mësueset më të mira që ka Italia.

Punon falas për të ndihmuar brezin e ri të pianisteve, ka qenë fituesja e çmimeve të para të konkurseve në Shqipëri, 1982, 1983, 1985 dhe e vetmja, që kam luajtur disa premiera botërore të repertorit klasik. Përmendim sonatën Si- të Listit, Moussorgskij- Tabllo nga ekspozita, Ravel koncert në sol për piano orkestër etj. Nuk mungojnë pjesë që i janë dedikuar asaj nga H.Zacharian, R.Hasimi.

Një kontratë pune në Kinë, si pedagoge për master të mësuesve dhe nxënësve më të mirë

Rastësisht u ndodha në këtë qendër të madhe kulturore të Kinës (Shenzhen), ku mbasi kisha ecur me orë nëpër diell (temperatura 37 gradë), u futa brenda pa ditur që isha në vendin e duhur. Me shumë vështirësi, mora vesh që kishte në katin e tretë piano dhe u ula të luaj në të. Si nëpër filma shfaqet drejtori i qendrës e po më dëgjonte, duke më filmuar me celular. E ndërpreva të luajturit dhe u çova të iki, por dora e këtij personazhi me orientoi drejt zyrës së tij.

Fatmirësisht fliste anglisht dhe fjala e parë që më tha ishte: “Sa lekë do të vish këtu të mësosh në shkollën time mësuesit e mi për piano. Unë ngela dhe nuk po analizoja në mendje ç’po ndodhte. As më pyeti: Nga vjen, çfarë të solli këtu etj. I thashë: Kjo është shaka? Jo tha, unë me atë që dëgjova dua që ti të vish si pedagoge në shkollën time. Nuk kaluan dy-tre ditë më futi në jurinë ndërkombëtare të pianos, duke ribërë dhe një herë gjithë reklamat dhe mbas konkursit me futi në saxhiot e pianos në komision. Ky personazh që për momentin nuk dua t’ja përmend emrin ka katër shkolla të tilla vetëm për piano. Pra mua më bënë kontratën e punës në Kinë, si pedagoge për master të mësuesve dhe nxënësve më të mirë.