Kina nxit bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arkeologjisë e të relikteve kulturore

2018-01-08

Vitet e fundit Kina ka zhvilluar aktivisht shkëmbimet në fushën e relikteve kulturore dhe punën e përbashkët arkeologjike me vende të ndryshme, për të dhënë mbështetje mbi zhvillimin kulturor të nismës “Një brez, një rrugë”.

Drejtori i Zyrës Ekzekutive pranë Drejtorisë Shtetërore të Relikteve të Kinës Xie Bing siç bën të ditur se deri tani Kina ka zhvilluar bashkëpunim me gjashtë vende për tetë projekte të mbrojtjes e të restaurimit të monumenteve historike dhe me 12 vende për 15 projekte të përbashkëta të kërkimeve arkeologjike:

“Në gusht të vitit të kaluar, Kina e Nepali nisën projektin e restaurimit të një tempulli me nëntë kate në Katmandu me ndihmën kineze. Po shpejtohet zbatimi i projektit të restaurimit të monumenteve historike pas tërmetit në Bagan të Mianmarit. Po ashtu, po zbatohet projekti i përbashkët arkeologjik midis Kinës e Arabisë Saudite në rrënojat e portit të lashtë Salem afër Mekës. Krahas kësaj, Kina po bashkëpunon me vendet përgjatë ‘Një brez, një rrugë’, si Egjipti, Irani, India, Bangladeshi, Laosi, Kazakistani, Kirgistani, Uzbekistani, Mongolia etj. për projekte të përbashkëta arkeologjike.”

Tani ekspozimi jashtë vendit i relikteve kineze është bërë një dritare e rëndësishme për njohjen e Kinës nga bota. Xie Bing u shpreh se në vitin 2017, u organizuan me sukses shumë ekspozita jashtë vendit:

“Në Muzeun Metropolitan të Artit në ShBA u zhvillua ekspozita e qytetërimeve të dinastive Qin e Han. Në Muzeun Ndërkombëtar Detar të Hamburgut në Gjermani u organizua ekspozita e relikteve të Rrugës Detare të Mëndafshit nga shekulli i 13-të deri në shekullin e 17-të. Në Muzeun Kombëtar të Sri-Lankës u zhvillua ekspozita e relikteve të Rrugës Detare të Mëndafshit Kinë-Sri Lankë. Këto ekspozita të suksesshme shfaqën plotësisht historinë, kulturën, artet dhe filozofinë kineze.”

Si një vend me një histori të gjatë, Kina është e pasur me relikte kulturore. Gjatë mijëra vjetëve, në Kinë janë krijuar relikte të panumërta të çmuara. Reliktet kineze janë përfaqësuese të spikatura të kulturës lindore dhe trashëgimi e përbashkët kulturore e njerëzimit. Për fat të keq, për shkak të fatkeqësive natyrore, luftërave, ndërrimit të pushteteve etj., shumë relikte kineze janë çuar në vende të tjera dhe shumë prej tyre kanë dalë jashtë vendit në mënyrë të paligjshme. Sipas statistikave të paplota, pas mesit të shekullit të 19-të, janë çuar në Europë, Amerikë, Japoni, Azinë Juglindore etj. më se 10 milionë relikte kineze, mbi 1 milion nga të cilat të kategorisë së parë e të dytë. Këto relikte përfshijnë pothuajse të gjitha llojet, si piktura, enë bronzi e porcelani, skulptura, libra etj.

Për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të kombit kinez, në vitin 2003, Kina nisi “Programin e thesarit kombëtar” për kthimin në atdhe të relikteve të dala jashtë vendit në mënyrë të paligjshme. Si rezultat, disa relikte të çmuara kineze u kthyen në atdhe nëpërmjet blerjes ose dhurimit. Për shembull, në vitin 2003, specialistët kinezë të relikteve gjetën skulpturën e një koke derri të bronztë nga një koleksionist amerikan. Kjo statujë ndodhej në Pallatin Yuan Ming Yuan në Pekin dhe në vitin 1860, trupat e koalicionit franko-britanik sulmuan Pekinin dhe e rrëmbyen atë, duke e çuar jashtë vendit. Nëpërmjet bisedimeve, koleksionisti amerikan ra dakord t’ia shesë Kinës këtë relikt të çmuar. Sipërmarrësi nga Makao Ho Hung San Stanley e bleu statujën për rreth 7 milionë juanë, pastaj ia dhuroi qeverisë kineze.

Me zhvillimin e teknologjisë digjitale, Kina po provon mënyrat e reja të bashkëpunimit ndërkombëtar për mbrojtjen e relikteve. Për shembull nëpërmjet teknologjisë së shfaqjes holografike 3D në ekran, shikuesit në çdo cep të botës mund të shijojnë magjinë e relikteve kineze. (Fani)