Mbyllet Festivali i 21-të Ndërkombëtar i Filmit i Shangait

2018-06-28

Me zhvillimin e ceremonisë së dhënies së çmimeve “Kupa e artë” u mbyll të dielën e kaluar Festivali i 21-të Ndërkombëtar i Filmit i Shangait. Bashkëprodhimi zvicerano-mongolian “Jashtë parajsës” fitoi çmimin “Kupa e artë” për filmin më të mirë. Filmi kinez “Ala Changso” fitoi dy çmime, atë të jurisë dhe të skenarit më të mirë.

Filmi “Jashtë parajsës” përshkruan historinë e pritjes së lindjes së foshnjës së tyre nga një çift nomad. Juria e vlerësoi filmin me këto fjalë: “Ky është një film i thjeshtë e poetik, por jo i papërpunuar. Nga çdo këndshikim, ky është një film i rrallë dhe i mirë.”

Filmi kinez “Ala Changso” përshkruan një pelegrinazh të veçantë. “Ala Changso” është një këngë popullore tibetiane dhe ka kuptimin “Pirja e një dollie”. Regjisori tibetian i filmit Sonthar Gyal shprehu shpresën se filmi i tij do të shfaqë një lloj dashurie përtej rajoneve e feve:

“Historia e filmit ndodh në një zonë tibetiane ku jetojnë banorë të kombësive të ndryshme dhe përsëritet në krahina të ndryshme të botës. Shpresoj se filmi do të shfaqë ndjenjat e përbashkëta të njerëzimit.”

Vëllezërit Rodrigo dhe Sebastian Barruso fituan çmimin “Kupa e artë” për regjinë më të mirë me filmin kanadez “Një përkthyes”. Filmi përshkruan historinë e një përkthyesi të gjuhës ruse nga Universiteti i Havanës dhe përvojën e tij në ndihmë të refugjatëve ukrainas që shkuan në Kubë për mjekim pas aksidentit bërthamor të Çernobilit. Juria vlerëson se ky është një film lidhur me dashurinë, mirëkuptimin dhe pasionin. Historia e vërtetë është shumë prekëse.

Aktori amerikan Tye Sheridan fitoi çmimin e aktorit më të mirë për interpretimin në filmin “Fëmija i së premtes”. Për shkak të lojës së vet të spikatur në filmin “Tadoussac”, aktorja kanadeze Isabelle Blais u shpall aktorja më e mirë. Në fjalën e saj ajo shprehu ndër të tjera mirënjohjen për regjisorin e filmit Martin Laroche:

“Jam shumë e gëzuar që filmi ‘Tadoussac’ shfaqet në Kinë. Një ekip i talentuar e i pasionuar e krijoi këtë film të mrekullueshëm. E falënderoj posaçërisht regjisorin e filmit Martin për krijimin e një historie të bukur e prekëse dhe për krijimin e një personazhi femëror të fuqishëm.”

Sivjet është 40-vjetori i fillimit të Reformës e të Hapjes ndaj botës së jashtme në Kinë. Festivali i Filmit i Shangait organizoi një ekspozitë të posaçme me afishet e filmave të krijuar gjatë 40 vjetëve të Reformës e Hapjes, ekspozitën e filmave, forumin me temën e 40-vjetorit të fillimit të Reformës e Hapjes etj. Në ceremoninë e dhënies së çmimeve “Kupa e artë”, organizatorët e Festivalit kishin ftuar aktorin 40-vjeçar kinez Zhang Yi, me moshë pra sa ajo e Reformës dhe Hapjes, për të folur për filmin, për vendin e tij dhe për kohën. Sipas Zhang Yi-së, rruga e tij e filmit nuk ka ecur gjithmonë aq mbarë sa procesi i Reformës e Hapjes, por me përpjekjet e palodhshme, ai ka pasur shumë rezultate në arenën artistike. Deri sot Zhang Yi ka luajtur rol kryesor në 20 filma e 40 drama televizive dhe ka interpretuar në 14 pjesë teatrale. “Me interpretimin e roleve të ndryshme në filma, kam pasur raste të shumta të marr pjesë në festivalet e ndryshme ndërkombëtare të filmit, si të Torontos, të Kanës, në Venecies etj. Jam i mendimit se i gjithë suksesi e lavdia e arritur në kinematografi kanë lidhje me suksesin e lavdinë e një vendi të fuqishëm,” thotë Zhang Yi.

Në Festivalin e 21-të të Filmit të Shangait u dha premiera botërore e 47 filmave, premiera aziatike e 84 filmave dhe premiera në Kinë e 118 filmave. Sistemi i shfaqjes së filmave premierë ka nxitur më tej ndërkombëtarizimin e Festivalit të Filmit të Shangait, duke sjellë shfaqjen e më shumë veprave të shquara të kinematografisë botërore në Kinë. (Fani)