Piktori nga Kina, “Artisti më i mirë” i ekspozitës së Akuarelit në Tiranë

2018-06-05

Shqipëria bëhet mikpritësja e eventit më të madh të akuarelit, ku artistë të njohur nga e gjithë bota do të shfaqin punimet e tyre për publikun shqiptar. Të gjithë flasin dhe sjellin kultura të ndryshme, por është akuareli dhe Shqipëria që po i bashkon.

Më 21 maj të gjithë artdashësit patën mundësinë të ndjekin demostrimet live të mjeshtrave të mëdhenj botërorë të akuarelit, në Sallën e Koncerteve pranë Universitetit të Arteve, ku mjeshtra si Alvaro Kastagnet (Uruguay), Atanur Dogan (Canada), Amit Kapoor (India), Hong Shan (Kina), Prafull Sawant (India), Krasi Todorov (Bulgaria) sollën sërish shijen e hollë artistike të artit të vërtetë.

Workshopet e akuarelit janë të njohura në mbarë botën për kontributin që japin në sensibilizimin e të gjithë brezave, të cilët e kanë më të lehtë përfshirjen në pikturë.

Krijimi i një komunikimi të përbashkët , shkëmbimi i eksperiencave, pritet që t’i japë një shtysë pozitive akuarelit në Shqipëri.

Pas ekspozitës në Tiranë, artistët do të pikturojnë live vende si Berati, Ura Vajgurore, Vlora, Himara dhe Saranda. Në fund të këtij udhëtimi, artistët do të ekspozojnë punët e tyre në Galerinë e Qytetit të Sarandë, ku do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët dhe që padyshim nuk duhet humbur.

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu mori pjesë të hënën në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës Ndërkombëtare të Akuarelit “Spring 2018” në Tiranë. Ambasadorja vizitoi gjithashtu ekspozitën dhe pa veprat e piktorëve nga vendet e ndryshme, duke përfshirë edhe ata kinezë. 54 piktorë nga 25 vende e rajone morën pjesë në këtë ekspozitë. Piktori Shan Hong u shpall “Artisti më i mirë” i ekspozitës.

Ambasadorja Jiang falënderoi organizatorët dhe piktorët pjesëmarrës për përpjekjet e tyre për shkëmbimet kulturore midis vendeve të ndryshme. Ajo u shpreh se një numër piktorësh kinezë u ftuan në këtë ekspozitë në Shqipëri dhe kanë rastin të zhvillojnë shkëmbime me piktorë të njohur botërorë, duke i afruar popujt me njëri-tjetrin nëpërmjet artit. Shkëmbimet kulturore midis Kinës dhe Shqipërisë po përtërihen vazhdimisht, duke shtuar miqësinë dhe mirëkuptimin midis të dy popujve dhe duke forcuar bazën shoqërore për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tilla si turizmi, tregtia etj.

Veprat e piktorëve kinezë janë unike në stil dhe përmbajtje. Ato përfshijnë peizazhe, piktura me lule dhe zogj, piktura figurash etj. Ato janë të pasura në përmbajtje dhe interesante, duke paraqitur bukurinë dhe themelet e pikturës kineze të akuarelit dhe duke u vlerësuar nga piktorët dhe artdashësit nga vende të ndryshme. Piktori Shan Hong shquhet në pikturat me kuaj të formave të ndryshme. Ai ndërthur karakteristikat e pikturës kineze me bojë të zezë me anatominë strukturore dhe ngjyrat e hapura të pikturës perëndimore për të paraqitur strukturën fizike të kuajve. Piktori tjetër pjesëmarrës në ekspozitë, Chao Tiejun, dallohet për dhënien e perspektivave të njerëzve bashkëkohorë dhe për shprehjen e mendimeve dhe ndjenjave të tij për njeriun dhe natyrën përmes artit tradicional perëndimor të akuarelit. Artisti Luo Kehuang shquhet për natyrat e qeta, duke shprehur peripecitë e pikturës me ngjyra dhe dritëhije.

Vitin e kaluar piktori kinez me famë botërore, mjeshtri i akuarelit Liu Yi mes 70 artistëve nga e gjithë bota në kuadër të Bienales së dytë të Akuarelit demonstroi para publikut të mbledhur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar artin e tij.

I njohur jo thjesht për stilin e tij të veçantë në realizimin teknik, mjeshtri kinez Liu Yi njihet si “piktori i balerinave”, pasi është i apasionuar pas modeleve balerina, që i takon shpesh në veprat e tij në akuarel.

Në Tiranë ai zgjodhi një tematikë të ndryshme, pasi për të pozoi një modele me kostum mirditor.

Po vitin e kaluar ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu vizitoi ekspozitën e punimeve në akuarel të piktorit shqiptar Helidon Haliti dhe atij kinez Li Xiaocheng.

Ekspozita në Tiranë është ekspozita e dytë e hapur nga mjeshtrat Li Xiaocheng dhe Helidon Haliti, pas organizimit të suksesshëm të ekspozitës së parë në qytetin Shantou të Kinës Juglindore. Ekspozita, që përbëhej nga 40 piktura nga secili artist, paraqet doket e zakonet dhe peizazhet natyrore të Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore.

Me përmbajtjen e re e të pasur dhe stilin e natyrshëm e plot freski, ekspozitat e akurelit tërheqin shumë dashamirës të artit dhe përfaqësues të mediave.