Placido Domingo dhe Ermonela Jaho mahnisin Pekinin me operën “Thais”

2018-02-13

Kur dëgjon emra si Placido Domingo dhe Ermonela Jaho, e di që bëhet fjalë për dy yje të skenave klasike më të famshme e të lakmuara në botë të cilët do të performojnë padyshim një vepër operistike të përmasave botërore. Të kesh mundësinë të ulesh në rradhët e para përballë tenorit legjendar, maestro-s Placido Domingo, e ta dëgjosh atë nga afër, është një rast i rrallë që të jepet po aq rrallë në jetë.

Bashkëpunimi me sopranon shqiptare më në zë të viteve të fundit në mbarë botën, brilanten Ermonela Jaho, është sa i bukur edhe i pazakontë, pasi mbiemrat “të talentuar”, “fantastikë”, “mahnitës”, etj, janë në fakt tregues jo real për Domingon dhe Jahon apo dimensionet e tyre artistike dhe emocionet që mund të përçojnë tek dëgjuesit. Ata qendrojnë shumë herë më lartë se aq.

Opera “Thais”, e para vepër që çeli sezonin operistik për vitin 2018, u vu në skenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin nga data 2 deri më 6 shkurt. Placido Domingo në rolin kryesor të Athanael-it dhe Ermonela Jaho në atë të Thais-it, sollën për audiencën e kryeqytetit kinez një realizim pafund të bukur i cili me ndihmën e efekteve speciale mundi të na çonte në një udhëtim pas në kohë, pikërisht në Aleksandrinë e shekullit të 4-të, në një përpjekje të murgut të devotshëm Athanael-it për të konvertuar kurtizanen Thais në të krishterë, ndërsa dashurohet me të, ngjarje që të bëjnë të reflektosh thellë mbi vlerat e shoqërisë. “Thais” është një ndërthurje e emocioneve të forta shpërthyese por edhe përmbajtjes së tyre dhe meditimit të karaktereve që e bëjnë këtë një vepër paksa ndryshe nga operat e Puccini-t apo Verdi-t.

Menjëherë sapo dëgjon të flitet për Placido Domingon dhe Ermonela Jahon, e kupton se bëhet fjalë për nivelin më të lartë të artistëve të zhanrit klasik. Të jesh në rradhët e publikut në një vepër operistike të interpretuar nga artistë të tillë është një eksperiencë unike. Për njohësit e muzikës klasike, operës apo baletit, të cilët kanë qenë me fat të ndjekin nga afër figura si Domingo dhe Jaho, mund të thuhet me plot gojën se ëndrra e tyre është bërë realitet.

Unë jam një ndër ta, e rritur me muzikën klasike dhe operën në veçanti, përjetova emocione që do të mbeten me mua gjatë, përgjithmonë. Domingo, sikurse Pavarotti apo Maria Callas kanë qenë ngahera idhujt e mi dhe fati që dëgjova drejtpërdrejt Placido Domingo-n, bëri realitet një ndër ëndrrat e mia që prej vegjëlisë, ç’ka nuk mendoja se do të ndodhte ndonjëherë, por ja që e gjendur në Pekin munda të ndiqja nga afër Operën “Thais”, në rolet kryesore të së cilës interpretuan pikërisht Placido Domingo dhe krenaria e vendit tim, shqiptarja Ermonela Jaho.

“Thais”, është një vepër me tre akte e kompozuar nga kompozitori romantik francez Jules Massenet-i dhe e shkruajtur nga dramaturgu Louis Gallet-i, bazuar në novelën me të njëjtin titull të Anatole France-it. Shkrimtari francez është vlerësuar gjithashtu me çmimin Nobel në letërsi për novelën “Thais”, në vitin 1921. “Thais” u vu për herë të parë në skenë në Operën “Garnier” të Parisit, në 16 Mars të vitit 1894.