Xu Lijia, lundërtarja që përshkoi “detin e vështirësive”

2018-06-29

Nga 24-30 qershor zhvillohet në Xhakartë të Indonezisë Kampionati Aziatik i Lundrimit me Vela. Lundërtarja kineze Xu Lijia e ka arritur suksesin e vet të parë ndërkombëtar pikërisht në këtë veprimtari, për të kaluar më pas në titujt kampione bote. Por kulmi i karrierës së saj është medalja e artë në Lojërat Olimpike të Londrës 2012. Të gjitha këto suksese spikatin gjithnjë e më shumë po të mbash parasysh se i ka arritur në një sport jo shumë të njohur e të përhapur në vendin e saj dhe duke përballuar probleme të shumta, si vështirësia në shikim e në dëgjim, heqja e një tumori apo edhe dëmtimet e shpeshta.

Megjithëse ka lindur 31 vjet më parë në Shangai, një qytet në brigjet e Detit të Kinës Lindore, kur ishte fëmijë Xu Lijia nuk kishte parë ndonjë barkë lundrimi me vela as edhe në televizor. Ajo kishte filluar të merrej me not që kur kishte nisur shkollën fillore dhe notonte çdo ditë dy orë pas mësimit. Kur Xu Lijia ishte në moshën 10-vjeçare, një trajner lundrimi shkoi në shkollën e saj për të gjetur fëmijë që dëshironin të merreshin me këtë sport. Ai e pyeti edhe Xu Lijia-në në i pëlqente lundrimi. Përgjigjja e vajzës së vogël ishte me një tjetër pyetje: “Çfarë është lundrimi?”

 

Mbase edhe nga kërshëria Xu Lijia vendosi ta provojë këtë sport. Dhe nuk do të zhgënjehej. Vite më vonë Xu do të thoshte: “Më pëlqen ndjesia e lundrimit në detin e paanë”.

Dhe kështu Xu Lijia nisi stërvitjen dhe shfaqi talentin e saj, duke u përfshirë në programin kombëtar të lundrimit me vela. Kjo do të thoshte se duhej të largohej nga familja.

“Më kujtohet që babai më tha: ‘Të takon ty të vendosësh, por merr një vendim për të cilin nuk do të pendohesh më vonë’,” kujton Xu Lijia.

Por vajzës i duhej të kalonte edhe dy vështirësi të tjera edhe më të mëdha. Ajo kishte vetëm 50 % aftësi dëgjimi dhe nuk shikonte mirë nga syri i majtë. E megjithatë, në vitin 1998, kur ishte vetëm 11 vjeçe, Xu fitoi titullin kampione kombëtare në kategorinë “Optimist”, për fëmijët deri në 15 vjeç. Pas një viti ajo u shpall kampione e Azisë në të njëjtën kategori.

Në vitet 2001 dhe 2002 Xu Lijia fitoi dy herë radhas titullin kampione bote, ndërkohë që po në vitin 2002 mori edhe medaljen e artë në Lojërat Aziatike. Xu Lijia ishte ylli në ngjitje i lundrimit me barka me vela.

Por pikërisht atëherë Xu Lijia mori një goditje tjetër. Ajo u kualifikua për në Olimpiadën e Athinës të vitit 2004, por u detyrua të tërhiqej. Kjo ngaqë mjekët zbuluan një tumor në këmbën e saj dhe duhej t’ia operonin.

“Unë kam kaluar mjaft vështirësi,” thotë Xu Lijia.

Pas rikthimit, në vitin 2006 ajo fitoi përsëri titullin kampione bote, këtë herë në kategorinë “Laser Radial” për të rritura, si edhe medaljen e artë në Lojërat Aziatike.

Në vitin 2008 do të realizohej më në fund ëndrra e Xu Lijia-së për të marrë pjesë në një olimpiadë, dhe pikërisht në atdheun e saj Kinë. Xu arriti të fitojë vetëm medaljen e bronzit.

Pas Lojërave Kombëtare të Kinës në vitin 2009, Xu Lijia vendosi të bëjë një pushim relativisht të gjatë dhe u regjistrua në Universitetin e Komunikimit të Shangait. Ajo rifilloi stërvitjen pas dy vjetësh. “M’u desh një kohë të gjatë për t’u kthyer në jetën normale të një lundërtari. Ishte shumë e lodhshme dhe pothuajse hoqa dorë.”

 

Por megjithatë, e mësuar për të mos u dorëzuar, Xu Lijia vazhdoi dhe kjo këmbëngulje u shpërblye. Në Lojërat Olimpike të Londrës të vitit 2012, ajo doli e para, duke marrë medaljen e dytë të artë olimpike për Kinën në sportin e lundrimit me vela.

Xu Lijia ishte veçanërisht krenare që e arriti një fitore të tillë në Britani. “Britania dhe vendet evropiane shquhen në sportin e lundrimit dhe dua ta çoj këtë përvojë në Kinë, në mënyrë që më shumë bashkatdhetarë të mi ta përjetojnë bukurinë e lundrimit”.

Medalja e artë e Xu Lijia-së u vlerësua aq shumë, saqë ajo u nderua me mbajtjen e flamurit kombëtar në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike të Londrës, megjithëse në delegacionin kinez bënin pjesë sportistë të tjerë të shquar.

 

“Pas Londrës, mediat kineze më vunë me të vërtetë në qendër të vëmendjes,” shpjegon ajo. “Mendoj jo vetëm ngaqë fitova në një sport jo shumë të njohur në Kinë dhe në një vend shumë të fortë në këtë sport si Britania, por edhe për shkak të vështirësive që kam kaluar. Por unë nuk dua të jem një emër i madh. Dua vetëm që njerëzit në Kinë ta njohin sa më shumë këtë sport dhe të përfshihen në të.”

Në fund të atij viti Xu Lijia u shpall “Sportistja e vitit në lundrimin me barka me vela”, kurse në Kinë mori çmimin “Sportistja më e mirë e vitit”.

Xu Lijia nuk arriti dot ta mbrojë titullin në Rio, për shkak të dëmtimeve, të cilat e kanë mbajtur që prej atëherë disi larg nga sporti i saj i dashur. Megjithatë, ajo thotë se asgjë nuk mund ta bëjë të heqë dorë nga lundrimi. “Unë dua të eksploroj botën dhe të lundroj përgjithmonë. Lundrimi është sport i jetës sime,” shprehet Xu Lijia. (Artan Goga)