Administrata e Trump-it përfundon statusin e mbrojtjes për rreth 200 000 salvadorianë

2018-01-09

Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare njoftoi se administrata e presidentit Donald Trump do t’i japë fund statusit të përkohshëm të mbrojtjes (TPS) që ka lejuar 200 000 shtetas nga Salvadori të qëndrojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara për gati 17 vjet.

Megjithatë, sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, bëri të ditur se do ta shtyjë statusin për 18 muaj, deri më 9 shtator 2019, në përpjekje për të siguruar “një tranzicion të rregullt”.

Masa i jep fund statukuosë që ka ekzistuar që nga viti 2001, kur presidenti Xhorxh W. Bush e zgjati statusin e përkohshëm të mbrojtjes për salvadorianët që ndodheshin në Shtetet e Bashkuara pas tërmeteve të mëdha në vendet e Amerikës Latine.

Protestuesit kundër këtij vendimi u mblodhën pranë Shtëpisë së Bardhë ditën e hënë, menjëherë pasi administrata e Trump-it njoftoi planin.

Aktivisti për të drejtat e punëtorëve, Jaime Contreras, tha se është koha që të gjithë salvadorianëve apo shtetasve të tjerë me status të përkohshëm të mbrojtjes t’u jepet nënshtetësia amerikane.

Gjatë presidencës së Donald Trump-it, Salvadori është vendi i katërt, qytetarët e të cilit kanë humbur statusin e përkohshëm të mbrojtjes.

Javën e kaluar, Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se do t’i japë fund statusit të përkohshëm të mbrojtjes për 2 500 nikaraguanë që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara.