ANEB, gati për inspektimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut

2018-06-06

Agjencia bërthamore e Kombeve të Bashkuara thotë se është e gatshme të inspektojë programin bërthamor të Koresë së Veriut, nëse autorizohet të luajë një rol thelbësor në këtë çështje, pas arritjes së një marrëveshjeje politike.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB), Yu-ki-ya Amano, thotë se ekipi i tij është gati, por inspektimi duhet të bëhet nën një marrëveshje politike midis shteteve përkatëse.

“Ne jemi duke ndjekur nga afër zhvillimet që lidhen me programin bërthamor të Koresë së Veriut. Ne do të jemi të gatshëm të veprojmë me shpejtësi dhe të luajmë një rol thelbësor në verifikimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut, nëse do të arrihej një marrëveshje politike midis vendeve të interesuara. Unë i bëj thirrje përsëri Koresë së Veriut që të përmbushë plotësisht detyrimet e saj dhe të bashkëpunojë me përpikëri me agjencinë “, tha ai.

Koreja e Veriut hodhi në erë tunelet në vendin e testeve bërthamore, Punggye Ri, muajin e kaluar, ngjarje e cila u ndoq nga afër nga gazetarë të huaj.

Shefi i ANEB-it tha se ekipi i tij është i gatshëm të shkojë në Korenë e Veriut brenda pak javësh nëse agjencia merr autorizim për këtë. (Haris)