Kina mbështet zhvillimet e fundit pozitive në marrëdhëniet ndërmjet dy Koreve

2018-01-09

Kina ka deklaruar se i mirëpret dhe i mbështet zhvillimet e fundit pozitive në marrëdhëniet ndërmjet Koresë së Veriut e Koresë së Jugut.

Në një konferencë të rregullt shtypi të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Lu Kang tha:

“Si një vend fqinj i Gadishullit Korean, Kina i mirëpret dhe i mbështet zhvillimet e fundit pozitive ndërmjet Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut për çtensionimin e marrëdhënieve dypalëshe. Shpresojmë gjithashtu që të gjitha palët e interesuara në bashkësinë ndërkombëtare do të japin mbështetjen e tyre për këto zhvillime pozitive dhe do të punojnë bashkërisht për të gjetur zgjidhje për zbutjen e tensioneve, rritjen e besimit të ndërsjellë dhe rifillimin e dialogut e konsultimeve”.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze shtoi se Pekini do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet në Gadishullin Korean.

Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut do të zhvillojnë të martën një takim të nivelit të lartë në fshatin Panmunjom.

Një kanal komunikimi ndërkufitar u rihap të mërkurën e kaluar për të diskutuar për pjesëmarrjen e Koresë së Veriut në Olimpiadën Dimërore të Pyeongchang-ut.

Linja telefonike ndërkoreane u pezullua kur Seuli mbylli një park industrial në qytetin kufitar Kaesong, pas një prove bërthamore të Phenianit në vitin 2016.

Të martën e kaluar, Koreja e Jugut propozoi mbajtjen e një dialogu të nivelit të lartë ndërqeveritar më 9 janar, për të diskutuar mbi dërgimin nga Koreja e Veriut të një delegacioni në Lojërat Olimpike Dimërore në shkurt. (Artan Goga)