Kryediplomati kinez zhvillon dialogun strategjik me homologun egjiptian

2018-07-09

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi zhvilloi në fundjavë dialogun strategjik me homologun e tij egjiptian Sameh Shukri, që ndodhej në Pekin për të marrë pjesë në mbledhjen e 8-të ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe. Wang tha se Kina është e gatshme të forcojë ndërthurjen e strategjive të zhvillimit me palën egjiptiane dhe mirëpret pjesëmarrjen e Egjiptit në nismën “Një brez, një rrugë” dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si ekonomike, kulturore, të kapaciteteve të prodhimit, të sigurisë etj.

Wang Yi u shpreh se pala kineze i kushton rëndësi ndikimit të Egjiptit si vend i rëndësishëm arab dhe një fuqi rajonale në Afrikë dhe është e angazhuar për konsolidimin dhe zhvillimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik me Egjiptin dhe thellimin e bashkëpunimit kino-egjiptian afatgjatë, të qëndrueshëm dhe me leveri të ndërsjellë. Në situatën e re, të dyja palët duhet të ruajnë shkëmbimet e nivelit të lartë dhe të shfrytëzojnë plotësisht rolin e rëndësishëm drejtues të të dy krerëve të shteteve për marrëdhëniet dypalëshe. Kina dhe Egjipti duhet të forcojnë bashkëpunimin në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale për të mbrojtur interesat e përbashkëta të vendeve në zhvillim, dhe të nxitin së bashku arritjen e përparimeve më të mëdha nga forumet e bashkëpunimit kino-arab dhe kino-afrikan.

Ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shukri theksoi se Egjipti është i gatshëm të forcojë shkëmbimet e nivelit të lartë me Kinën, të thellojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe të ketë komunikim e bashkërendim të ngushtë me Kinën në çështjet shumëpalëshe. Kajroja e vlerëson lart rolin e Kinës në ruajtjen e paqes e të stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe në nxitjen e zhvillimit të kësaj zone. Pala egjiptiane është e gatshme të marrë pjesë në mënyrë aktive në nismën “Një brez, një rrugë” dhe në bashkëpunimin në kuadër të forumeve Kinë-Shtetet Arabe dhe Kinë-Afrikë.(Vera)