Shqipëri, lehtësitë fiskale në agroturizëm

2018-07-03

Qeveria i ka propozuar Parlamentit miratimin e projektligjit për disa ndryshime në ligjin për TVSH-në, me qëllim zhvillimin e turizmit në zonat rurale, e shoqëruar kjo me nxitjen e prodhimit dhe tregtimit të produkteve lokale të zonës.

Ajo e sheh agroturizmin si një instrument zhvillimor të pashfrytëzuar në funksion të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të ndjeshëm të kushteve sociale në zonën rurale të Shqipërisë.

Projektligji parashikon aplikimin e normës së reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar prej 6% nga 20% që është norma standarde.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama u ka drejtuar një thirrje emigrantëve, që të ardhurat e mbi 20 viteve punë t’i investojnë në shtëpitë e prindërve apo gjyshërve të tyre, në kuadër të projektit “100 fshatrat” që përfshin “Rilindja Rurale”.

Agroturizmi mbështet zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm të zonave rurale nëpërmjet mbrojtjes së ambientit, ruajtjes së traditave dhe promovimit të produkteve tipike të zonës. (ATSH)