Thellimi i bashkëpunimit “16+1” do t’i japë energji të re zhvillimit të gjithanshëm të marrëdhënive kino-europiane

2018-07-09

Kryeministri kinez Li Keqiang mori pjesë të shtunën në takimin e 7-të të udhëheqësve të Kinës e të vendeve të Europës Qendrore e Lindore të zhvilluar në Sofje. Ekspertët shprehen se ky takim do të hartojë planin e zhvillimit të ardhshëm të bashkëpunimit “16+1” dhe do t’i japë energji të re zhvillimit të gjithanshëm të marrëdhënieve midis Kinës e Europës Qendrore e Lindore e midis Kinës e BE-së.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar është pjesë e rëndësishme e mekanizmit “16+1”. Sipas të dhënave, vjet vëllimi i përgjithshëm i tregtisë midis Kinës e 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore arriti rreth 68 miliardë dollarë, duke u shtuar 16% në krahasim me vitin 2016. Struktura tregtare është përmirësuar pandërprerë, investimet e ndërsjella janë shtuar me qëndrueshmëri dhe ndërlidhja infrastrukturore është zhvilluar mbarë, duke sjellë përfitime të përbashkëta.

Zv.drejtori ekzekutiv i Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare të Kinës Ruan Zongze është i mendimit se zhvillimi i qëndrueshëm i bashkëpunimit “16+1” realizohet në bazë të parimeve të konsultimeve të përbashkëta, përfitimeve të ndërsjella, hapjes dhe risive, të zbatuara bashkërisht nga Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore. Ai theksoi se, në rrethanat e sotme të lindjes së prirjes së antiglobalizimit e të rritjes së proteksionizmit në tregti e investime, bashkëpunimi “16+1” është shumë i çmuar.

“Bashkëpunimi ’16+1′ thekson multilateralizmin, mbrojtjen e tregtisë së lirë dhe ndërlidhjen e bashkëpunimin e përbashkët. Qoftë si filozofi, qoftë si veprim, kjo është një zgjedhje e drejtë historike. Bashkëpunimi ’16+1′ e vë theksin veçanërisht në bashkëpunimin strategjik, domethënë në ndërthurjen e nismës kineze ‘Një brez, një rrugë’ me strategjitë e zhvillimit të 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Thelbi i saj është ndërlidhshmëria, për të krijuar një bashkësi interesash e fatesh të përbashkëta. Bashkëpunimi ’16+1′ nxit e mbron globalizimin me veprime konkrete. Njëkohësisht, zhvillimi i bashkëpunimit ’16+1′ ka forcuar ndërlidhshmërinë midis 16 vendeve,” u shpreh Ruan Zongze (Fani)